''Turizmi Shqiptar''
Nga Albert Zholi (Shkrimtar, publicist)14.11.2012
Libri i ri “Turizmi Shqiptar” i autorit Xhelal A. Marku, publicist i njohur i medias vizive dhe i shtypit tonë të përditshëm, vjen për lexuesin, si një novojë e domosdoshme e shërbimeve të kompletuara e cilësore për pushuesit, duke sjellë për ta informacione të reja, të plota, të sakta e profesionale, që i duhen një turisti, për të njohur Shqipërinë Turistike. Në kushtet e një zhvillimi të vrullshëm e transformues të industrisë turistike në vend, Ky libër vjen si një hapësirë e nevojshme promocionale, duke sjellë një imazh të ri të Turizmit Shqiptar. Në libër janë pasqyruar me frymëzim e pasion, por dhe me një gjuhë të rrjedhshme e me plot figuracione, resurset e shumta të këtij vendi, që nga bukuritë natyrore, pasuritë e mëdha të trashëgimisë tonë historike e kulturore, klima e mrekullueshme, tradita e lashtë shqiptare e mikpritjes e deri tek historia e veçantë dhe unikale e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri. Parë në këtë këndvështrim, libri sjellë një kontribut të rëndësishëm, në përpjekjet për të rritur shkallën e promocionit e të imazhit turistik të Shqipërisë në opinionin kombëtar e ndërkombëtar. Ai, dëshmon se Turizmi Shqiptar, nuk është më ai i dikurshmi, i lënë pas dore e në harresë, por është sektori më i rëndësishëm dhe më jetik i ekonomisë së vendit, me potenciale e me resurse të shumta turistike, ku hedh shtat çdo ditë industria turistike e vendit, tashmë edhe me një infrastrukturë të përmirësuar ndjeshëm, që e bëjnë atë një vend të lakmuar nga të gjithë vizitorët e huaj, për të kaluar pushimet e tyre, madje edhe në të katër stinët e vitit, verë, vjeshtë, pranverë apo dimër qoftë. Për vetë prioritetin, që ka marrë aktualisht sektori i turizmit në zhvillimin e ekonomisë së vendit, në këtë periudhë tranzicioni në Shqipëri, detyrë parësore është dhe mbetet menazhimi ndryshe i kësaj industrie të fuqishme të vendit, mbi bazën e zbatimit të politikave e të teknologjive të reja kombëtare, në përshtatje me kërkesat e tregut e të konkurencës së lirë, duke synuar turizmin e shumëllojëshëm, gjithëhapsinor, gjithëvjetor e të qëndrueshëm, por dhe nivelin e lartë të shërbimeve e të akomodimit, si i vetmi burim për rritjen e fluksit të turistëve të huaj, që preferojnë të vizitojnë vendin tonë. Dhe në këtë drejtim, Shqipëria, si vend ende i virgjër turistik dhe ende i paeksploruar plotësisht në vlerat e larta e të shumta turistike që ka, ka favore në tregun turistik botëror, e reflektuar kjo edhe me numrin vazhdimisht në rritje të vizitorëve të huaj, që e frekuentojnë atë për çdo vit. Dihet tashmë, se tendencat dhe prefe-rencat e turistëve të huaj, janë destinacionet e reja turistike, për të mësuar e shijuar mjediset e panjohura turistike, klimën, natyrën dhe bukuritë e saj, vlerat kulturore dhe historinë e vendeve të pashkelura prej tyre. Ndaj, të huajt e synojnë turizmin shqiptar, sepse edhe opinioni i mediave prestigjioze ndërkombëtare, i ka shprehur dëndur vlerësimet e saj të larta për turizmin tonë, duke e klasifikuar atë, si vendin e parë në botë, midis dhjetë vendeve, që rekomandohen prej tyre për t`u vizituar nga turistët e huaj. Dhe fakti është, se turistët e huaj, që kanë vizituar Shqipërinë, janë befasuar me bukuritë natyrore të saj, me bregdetin e pastër, klimën e mrekullueshme, historinë e shkëlqyer të këtij populli vital, që ka ditur të ruaj e të kultivojë në shekuj, modelin më të veçantë në Botë të bashkëjetesës e të harmonisë ndërfetare. Është kjo arsye, që të huajt kërkojnë ta jetojnë realitetin shqiptar, duke e prekur atë, kudo dhe në çdo skaj të vendit. Ata, duan ta takojnë banorin shqiptar, të bisedojnë me të, të njohin historinë, kulturën, traditat dhe kuzhinën shqiptare, të prekin gjithçka interesante e të panjohur prej tyre. Dhe këtë, e bëjnë me dëshirën dhe pasionin e madh për të mësuar sa më shumë për të kaluarën dhe të sotmen e vendit tonë, por dhe për të shijuar të veçantat e turizmit shqiptar. Dihet se, për të rritur tregun turistik të vizitorëve të huaj, që kanë destinacion të tyre Shqipërinë, sigurisht që kërkohen standarte të reja, kërkohet një nivel i ri dhe më i lartë i promocionit dhe imazhit turis-tik për Shqipërinë, kërkohen informacione të plota e të drejtpërdrejta për Turizmin Shqiptar, por duhen gjithashtu edhe botime të posaçme, madje dhe enkas për turistët e huaj, ndryshe nga ato që lexuesi merr nga interneti. Dhe kjo ndodh, sepse jemi në një fazë, ku të gjithë kemi nevojë për informacionin e ri, të saktë e profesionistë të specialistëve, që njohin mirë turizmin dhe produktet e tij, që njohin kërkesat specifike të vizitorëve të huaj e vendas, që njohin politikat dhe teknologjitë e reja të zhvillimit të industrisë turistike shqiptare, që ndjekin dhe pasqyrojnë dinamikën e gjërë të zhvillimit të kësaj industrie jetike për vendin tonë. Ky informacion është i domosdoshëm për të gjithë, sepse ai i paraprinë punës për të ndërtuar një turizëm cilësor, të shumëllojshëm e të qëndrueshëm, në përputhje me kërkesat specifike të pushuesëve, për të ndërtuar atë produkt turistik, që kërkon tregu sot, sfidues dhe konkurent të kohës. Ndaj, duke e parë në sintezën e vendeve me turizëm të zhvi-lluar, sot Shqipërisë i duhet një turizëm ndryshe nga ai tradicional, i duhet një turizëm cilësor, i shumëllojshëm dhe bashkëkohor, në përshtatje me kërkesat e vizitorëve, që e kanë në preferencën e tyre vendin tonë. Pra, vetëm me politika të qarta e afatgjata, industria turistike shqiptare do të njohë progres e zhvillim të ri, për të qënë kurdoherë një konkurent i denjë në tregun turistik botëror, ku cilësia dhe shumëllojshmëria e produktit turistik, janë kolonat më madhore të saj, me të cilat operohet sot, për të arritur standartet e larta, që kërkohen. Kështu, në stadin e tanishëm të konkurencës së tregut rajonal e botëror, cilësia e lartë e kulturës së shërbimeve dhe mjedisi i pastër, marrin një rëndësi parësore, sepse prej këtej nis gatimi i produktit turistik për pushuesit e huaj e vendas. Ka rëndësi të madhe të kuptohet nga të gjithë, se e ardhmja e ekonomisë së vendit tonë, sot i ka sytë tek industria turistike, e cila për shumë vite ishte lënë në mëshirë të fatit. Duke vlerësuar ritmet e larta të zhvillimit të Turizmit Shqiptar, në fillimet e këtij shekulli që jetojmë, them se motorët e kësaj industrie tashmë janë ndezur të gjithë dhe synojnë perspektiva të reja edhe më të mëdha në këtë sektor. E rëndësishme është, se tani, në turizëm punohet me programe, me politika e projekte të ngritura mbi studime të thella të konkurencës në tregun turistik të Globit. Ndaj, që të zhvillohet turizmi, më parë duhet të bëhet e qartë për të gjithë, se çfarë do të prodhosh nesër për ata që do të vijnë, me qëllim që fluksi turistik i vizitorëve, që frekuentojnë vendin tonë, të jetë i qëndrueshëm dhe vazhdimisht në rritje. Turisti i sotëm, mbi bazën e informacioneve që merr, përcakton dhe vendin ku do t`i kalojë pushimet e tij. Dhe në këtë drejtim, e them me bindje të plotë, se libri, “Turizmi Shqiptar” i Xhelal A. Markut, sjellë një promocion të ri e të fuqishëm për Shqipërinë Turistike, për imazhin e saj të ri e të mrekullueshëm, që tashmë është bërë pjesë e përvitshme edhe e promocioneve të mediave e të shtypit të huaj më prestigjioz të turizmit botëror. Tashmë ka ardhur koha që të mendohet seriozisht për burimet njerëzore, për informacionin e gjerë që duhet të japim, për kulturën e lartë të shërbimit, etj, me qëllim që mikpritja tradicionale shqiptare të pasurohet me shumë elementë të tjerë të rinj, të gatimit, të shërbimit cilësor e të akomodimit, që do të ndikojnë fuqishëm në zgjerimin e tregut turistik nga e gjithë bota, duke synuar në rritjen e vazhdueshme të numrit të turistëve, që preferojnë të kalojnë pushimet në vendin tonë, në Shqipëri. Ky stad i zhvillimit të sotëm të Turizmit Shqiptar, nuk është arritur lehtë dhe në mënyrë spontane, por me shumë mundë e përpjekje, duke zbatuar politika dhe teknologji të reja e bashkëkohore zhvillimi. Dhe kjo kuptohet qartë, po të sjellim ndërmend historinë e zhvillimit të turizmit shqiptar në të kaluarën, ku mësojmë se ai ishte një sektor i pavlerësuar, me një zhvillim spontan dhe pavizion, i harruar, por dhe me shumë pak traditë, për shkak të sundimit të rregjimit diktatorial komunist, që në historinë e tij 50 vjeçare, e izoloi plotësisht vendin. Edhe në të kaluarën, këtu ishin të gjitha resurset turistike shqiptare, këtu ishte klima, deti, trashëgimia kulturore, mikpritja, etj, por ishin politikat e gabuara, ato që pengonin zhvillimin e turizmit në vend. Ndaj, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur qeverisja e atëhershme ishte kundër konceptit të një shoqërie konsumi, ku ofrimi i shërbimeve të shlodhjes e të argëtimit, konsiderohej i huaj dhe mikroborgjez, ku arti i kulinarisë nuk u zhvillua për shkak të varfërisë, ku në sferën e shërbimeve ekzistonin vetëm restorante popullore, apo gjellëtore të ushqimit social, dhe ndërtimi i hoteleve në qytetet kryesore, u bë vetëm në vitet 1970, atëherë kur nevoja për thithjen e valutës së huaj, u pa si e domosdoshme për ekonominë e vendit. Me këto koncepte lidhet edhe interesimi i pakët i opinionit publik mbi turizmin, në vitet e para të demokracisë. Edhe pse Turizmi Shqiptar, sot ka pësuar një zhvillim të madh e të gjith-anshëm, duke afirmuar vlerat e tij konkuruese në tregun rajonal e botëror, ai ka ende shumë punë për të bërë, për t`u përfshirë me të gjitha kapacitetet e tij, si një turizëm gjithëhapsinor, gjithvjetor dhe i shumëllojshëm, që është. Gjithashtu, ka vend për të ndërtuar një promocion më efektiv, me spote publicitare sensibilizuese, që t`i tregojnë opinionit publik vendas rëndësinë, që ka turizmi ynë në zhvillimin ekonomik, pasi ato nxisin sjelljen e kulturuar dhe shërbimin në nivelin e duhur, apo kritikojnë fenomenin e përfitimit, tentativat zhvatëse, indiferencën që vihet re shpesh në sektorin e shërbimeve në përgjithësi. Këto dhe probleme të tjera, që trajtohen në këtë libër, do të shërbejnë si udhërrëfyes për turistët e huaj e vendas, që duan të kalojnë pushimet në krahina apo qytete të ndryshme të atdheut tonë. Le të hapë ky libër siparin e botimeve të tjera cilësore, që do t`i shërbejnë zhvillimit të shpejt të industrisë turistike shqiptare, sipas standardeve konkuruese bashkëkohore të tregut turistik botëror. Me këtë rast, dua t`i uroj suksese autorit të librit, z. Xhelal A. Marku, i cili me përvojën e tij të gazetarit e publicistit, ka ndërtuar me mjeshtëri renditjen e informacioneve të mbledhura prej tij, duke përdorur një stil të këndshëm e interesant informimi për lexuesin. Në këtë drejtim, ai ka spikatur me punën e tij edhe si specialist i Agjensisë Kombëtare të Turizmit, duke pasuruar tregun e librit me një prurje të re, nga një sektor shumë interesant dhe i rëndësishëm, siç është Turizmi. Vlera e këtij libri, qëndron edhe në gamën e gjërë të informacionit, që sjell për Shqipërinë Turistike, duke i ofruar lexu-esit një libër simpatik, tërheqës dhe mjaft të realizuar edhe nga ana gjuhësore, ku autori ka shfaqur me talentin e tij letrar e krijues, imazhin e ri për Turizmin Shqiptar.
No comments:
Post a Comment